Byreku me spinaq është një recetë klasike e kuzhinës shqiptare e cila pregatitet gjatë gjithë vitin, sidomos për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. Tradita kërkon që nën petët e byrekut të vendoset një monedhë e cila përfaqëson fshehjen e fëmijës Jezus nga Mbreti Herod. Çdo pjestar i familjes, duke filluar nga më i vjetri, merr një copë byrek dhe personi që gjen monedhen konsiderohet me fat vitin që vjen. Por kujdes: nëse fshihni një monedhë brenda në byrek, sigurohuni që të tjerët ta dinë përpara se ta hanë!
Përbërësit
…për brumin:
- 600gr miell
- 300-350ml ujë
- 1 lugë vaj ulliri
- 1 lugë të vogël kripë
- niseshte për hapjen e petëve
… për mbushjen
- 500gr spinaq të prerë hollë
- 200gr djath të bardhë të thërrmuar
- 1 qepë të prerë hollë
- 2 vezë të rrahura
- 1 tufë kopër të freskët të grirë
- kripë
- piper të zi të sapobluar
- vaj ulliri
Pregatisim si fillim brumin: shkrijmë kripën në ujin e ngrohtë dhe ja shtojmë miellit bashkë me vajin e ullirit. E punojmë brumin shumë mirë me dorë derisa të mblidhet dhe të rezultojë i butë. E mbulojmë me një pecetë të pastër dhe e lëmë të pushojë për 30-60 minuta.
Ndërkohë pregatisim harxhën: Kavërdisim qepën në vaj ulliri derisa të zbutet. Shtojmë spinaqin dhe e mbulojmë tiganin me kapak në mënyrë që spinaqi të ulë vëllimin e tij. I japim shije me kripë, piper të zi, kopër dhe djathin e bardhë. E heqim nga zjarri, shtojmë vezët dhe e lëmë mbushjen të ftohet në temperaturë ambjenti.
Brumin e ndajmë në 15 pjesë të barabarta dhe i hapim 8 petë poshtë dhe 7 petë sipër. Pjesa e poshtme duhet gjithmonë të ketë më shumë petë pasi të gjitha lëngjet e harxhës do të precipitojnë në fund.
Ne mes shtrojmë harxhën tashmë të ftohur.
E presim byrekun duke mos e cuar thikën deri në fund dhe e pjekim në 200 gradë celcius për 40 minuta ose derisa shtresa e sipërme të jetë bërë kerce dhe të ketë marrë ngjyrë të artë. E kthejmë byrekun përmbysë në një tavë tjetër. Kjo bëhet për të zbutur petën e sipërme e cila është gjithmonë më e fortë. Ose mund ta lagim sipërfaqen e byrekut me pak ujë dhe ta mbulojmë me një pecetë të pastër. E lëmë të pushojë për 10 minuta përpara se ta shërbejmë.
E shoqërojmë me një sallatë jeshile dhe kos grek ose salcë kosi.