- Racione: 4 persona
- Vështirësi: e thjeshtë
- Shtype
Shpargujt janë një nga perimet pranverore të cilat unë i adhurojë! Por cili është ndryshimi midis shpargujve të gjelbër (më të zakonshmit) dhe atyre të bardhë? Shpargujt e bardhë kanë një shije më delikate, janë më të njomë dhe rriten nëntokë. Duke qënë se ata nuk ekspozohen ndaj dritës së diellit, nuk mund të prodhojnë klorofilin, i cili i jep ngjyrën e gjelbër.
Një nga mënyrat më interesante për ti gatuar shpargujt e bardhë është në një supë kremoze e cila e ka origjinen nga Gjermani: spargelsuppe.
Mos harroni ti qëroni shpargujt përpara se ti gatuani.
Përbërësit:
- 500gr shparguj të bardhë, të qëruar dhe të prerë në rrathë rreth 2cm (kokat të ruajtura mënjanë)
- 1/2 qepe, e grirë hollë
- 2 lugë gjalp
- 1,5lt lëng perimesh ose pule
- 100ml krem pana për gatim
- kripë
- piper i zi i sapobluar
- verë e bardhë (për ti dhënë shije)
- majdanoz për zbukurim
Kavëridisim në gjalp qepën e grirë derisa të zbutet, por jo të marrë ngjyrë. Shtojmë copat e shpargujve (pa kokat e tyre) dhe vazhdojmë kavërdisjen në zjarr të ngadaltë për rreth 5 minuta. Shtojmë lëngun e perimeve ose të pulës dhe e ziejmë të gjithën për gjysmë ore derisa shpargujt të jenë zbutur.
E kalojmë supën ne blender duke e kthyer të gjithën në kremoze. Shtojmë kokat e shpargujve dhe e lëmë të ziejë akoma edhe për 5 minuta.
E heqim nga zjarri dhe shtojmë kremin pana. E rregullojmë me kripë dhe piper sipas dëshirës.
Ne momentin që e shërbejmë në pjatë, shtojmë nga një lugë verë të bardhë e cila shërben për të shtuar pak aciditetin. E zbukurojmë me majdanoz.