
Pretzels, të quajtura ndryshe edhe brezeln (apo Laugenbrezeln), janë një lloj buke tipike gjermane të spërkatura në sipërfaqe me kokrra kripe të mëdha. Veçantia e tyre është se gatuhen paraprakisht në ujë me sodë përpara se të futen në furrë.
Legjenda thotë që kjo lloj buke për herë të parë është pregatitur nga monarkët e ndonjë manastiri në Europë, të cilët me brumin që i mbetej formonin rripa të gjatë dhe i ndërthurnin midis tyre, gjë që të kujton duart e bashkuara gjatë një lutje.
Përbërësit
- 500gr miell i tipit 0
- 200-250ml ujë të ngrohtë
- 50gr gjalp pa kripë, në temperaturë ambjenti ose të shkrirë në mikrovalë
- 2 lugë të vogla sheqer
- 1 lugë të vogël kripë
- 20gr maja birre
- 3 lugë gjelle sodë buke
- kripë e trashë kokërr
Bashkojmë miellin me sheqerin dhe kripën. Hapim një gropë në mes në të cilën hedhim ujin e ngrohtë ku kemi shkrirë majanë e birrës. Shtojmë gjalpin e butë dhe e punojmë mirë brumin për 7-10 minuta derisa të rezultojë elastik dhe të mos ngjisi në duar. E lëmë të vijë për rreth 2 orë në një vend të ngrohtë mbuluar me një pecetë të lagur.
Pasi brumi ka ardhur, e ndajmë në 8 pjesë të barabarta. E hapim secilën pjesë si një litarë të gjatë rreth gjysmë metri. E rrotullojmë brumin duke i dhënë formën tipike të pretzel. I vendosim në një tavë të shtruar me letër furre dhe i lëmë të vijnë edhe për gjysmë ore tjetër.
Parangrohim furrën në 200°C.
Vendosim për tu zierë 3 litër ujë me 3 lugë gjelle sodë buke. I zhysim pretzel një nga një dhe i lëmë të gatuhen për gjysmë minuti. I rivendosim në tavë, i spërkasim me kripë të trashë dhe i pjekim për rreth 20 minuta, apo derisa të kenë marrë ngjyrën e artë karakteristike.